12 mënyra për të mbështetur biznesin vëndas

Postim origjinal 18 prill, 2020
Rishikimi i fundit, 31 maj 2020
Nga Gentiana Susaj 



Familja ime ka një restorant apo një produktor vendas vere të preferuar, një shtëpi rurale ku në fakt do na pëlqente të shkonim më shpesh se cmundemi, apo një agjensi udhëtimesh që sdo donim kurrë të mbylleshin. Por situata që po kalojmë po ndikon shumë në ecurinë e këtyre bizneseve. Ndërsa vetë drejtoj Aikido Albania, një qëndër pa qëllime fitimi, po ashtu jemi detyruar të pezullojmë praktikat këtë kohë, pa ditur se kur do të mund të rihapim dyert sërish e kjo ka efektet e veta edhe për ne. 
Ndërsa pyeta disa miq për tre bizneset e tyre të preferuara, disa e kishin shumë të qartë e përgjigjen “në majë të gjuhës”, madje duke më dërguar direkt edhe numrat e NIPT-ve. Shumë të paktë ishin ata që para se të përgjigjeshin, donin të dinin pse po i pyesja, donin të siguroheshin për tipin e biznesit që do hynte në “kategorinë e duhur”, apo hezitonin të përgjigjeshin. Pati dhe nga ata që menjëherë ju ndizej drita jeshile e më pyesnin: do t’i ndihmosh?
Tani, të gjithë e dimë që në gjithë botën janë marrë masa sigurie për të ngadalësuar përhapjen e pandemisë COVID-19, por nga ana tjetër, për shumë njerëz që punojnë apo janë pronarë të bizneseve vëndase, të pavarura, ndikimi i këtyre masave mund të jetë shkatërrues. E kjo edhe në se të gjitha hapen që nesër. Shumë janë detyruar të mbyllin dyert e tyre e disa mund të mos hapen serish. Nje mik shkroi në rrjete sociale: “Ekonomia familjare në rënie të lirë, biznesi drejt falimentimit të plotë! Shumë pak gjasa ka të mbijetoj një biznes shërbimi turistik edhe nëse hapen të gjitha që nesër. Dëmi i pakthyeshëm është bërë tashmë! Duhen marrë masat për menaxhimin e pasojave.“ E trishtë është më e pakta që mund të thuhet. Por, në vend qëtë mbajmë sytë vetëm nga qeveria për ndihma e mbështetje për biznesin vëndas,  - dhe pa i hequr asaj përgjegjësitë që i takojnë, dua t’ju sjell vëmëndjen tek ajo cka mund të bëjme së bashku, për t’ju ardhur në ndihmë miqve, familjarëve, komshijve që kanë një biznes vëndas në Shqiperi, atyre që duam të vazhdojmë t’i shohim në treg.
Duke qëne se në këto kohë, të gjithë jemi fizikisht të distancuar, do të thote që nuk po shpenzojmë si më parë në kafe, në palestra apo të tjera… Por, shumë prej këtyre bizneseve po përpiqen t’ju shërbejnë klienteve pa pasur kontakt fizik. Sepse gjithmonë mund të gjendet mënyra që së bashku, të sigurojmë të ardhmen e biznesit vëndas dhe t’i ndihmojmë të shndrisin edhe në kohë të errëta.
Ne, ti, unë, të gjithë, mund të bejme një zgjedhje që në këtë moment. Edhe pse kjo është një nismë që lind në kohën e Covid-19, të ndihmuarit e biznesit vëndas është me vlere për të gjithë, gjithë kohën, me apo pa distancim fizik. Si mund ta bejmë këtë? Dua të ndaj me juve më poshtë 12 mënyra të mundshme. 
Po prit, pse të mbështesim bizneset vëndase? Sepse, përtej madhësisë apo “peshës” së tyre, bizneset vëndase përcaktohen nga fryma e tyre. Krijuar nga njerëz të paepur - të zhgënjyer, ambiciozë dhe elastikë, që luftojnë, ata sjellin vlera, kulturë, dije, traditë, art, shëndet, pavarësisht pasigurisë në të cilën ndodhemi, duke na dhënë shpresë se këtu mund të ndërtohet. Dhe ne kemi nevojë për ta. Këto biznese janë të rëndësishme për strukturën ekonomike dhe sociale të shoqërisë sonë, dhe ne të gjithë luajmë një rol për vazhdimësinë e tyre. Konkurrenca nga dyqanet e kompanive të mëdha, sigurimi i fondeve, monopolet, etj., të gjitha kontribuojnë në dështim të biznesit vëndas. Prandaj, në se ne bashkohemi, mund të lehtësojmë e të bëhemi kundra-peshë e kësaj. 
Le të ndihmojmë ekonominë tonë: A kemi mundësi të bëjmë një zgjedhje me paratë që kemi për t'i ndihmuar ekonomitë lokale që të vazhdojnë akoma dhe t'u japin bizneseve vëndase një shans për t'u rikthyer kur të dalim nga shtëpitë tona? Kur blejmë në biznese lokale, paratë tona qëndrojnë mes njerëzve tanë, në komunitet, dhe ndihmojmë zhvillimin lokal. Është ajo që quhet efekt shumëzues. Për shembull, merr Luga e Argjendtë apo Mrizi i Zanave Agroturizëm: përdorin përbërës nga prodhuesit vendas, sjellin histori, traditë, kulinari, kanë ndërtuar një model që e ndjekin një zinxhir biznesesh të ngjashme, duke ndihmuar jo vetëm stafin e tyre të drejtëpërdrejtë por kanë ndërtuar marrëdhënie që ndihmojnë mbarë komunitetin e biznesit e madje për disa nga ne deri dhe mënyrën e ushqyerjes në tryezat tona. 
Le të kontribojmë në planin social: nëpërmjet për shembull dyqaneve apo bujtinave, bizneset vëndase ndikojnë pozitivisht për lagjen, qytetin apo fshtatin përsa i përket veprimtarisë, karakterit, turizmit, sigurisë, duke përfshirë kolektive e aktorë vendas. Njëkohësisht, prania e tyre ndihmon duke hapur vënde pune, që njerëzit të mësojnë aftësi të biznesit në punë, duke fuqizuar gjeneratën e ardhshme të sipërmarrësve. 
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është transparenca që sjellin këto biznese pasi shumë prej tyre kanë një trajektore më të shkurtër prodhues-konsumator. Do të thotë, më shumë transparencë në përbërësit, materialet dhe burimin e produkteve që blejmë. Shumë biznese vëndase janë prodhues, prodhojnë mallra në vend, ose janë shitës të produkteve të prodhuara nga marka të grupeve të vogla. Edhe në se po paguan pak më shumë për mallrat e tyre kundrejt artikujve të ngjashëm të kompanive të mëdha, mos harro, po paguan dhe për qetësinë e mendjes që jemi duke marrë një prodhim më cilësor dhe etik. Pastaj, fleksibilitetin për t’ju përshtatur cdo blerësi dhe kujdesin e personalizuar të bizneseve vëndase është vështirë t’a gjesh tek kompanitë e mëdha. 
12 mënyra për të mbështetur bizneset e vogla (por jo vetëm) gjatë distancimit fizik:
Ka shumë mënyra me të cilat paratë tuaja mund të përdorën tek bizneset vëndase. Këtu po ndaj disa ide për të filluar. Në se jeni në vështirësi financiare, mbase asnjë nga këto nuk do jetë e mundur, por të paktën, mund të zgjidhni më mirë ku do të bëni shpenzimin e radhës, sado i vogël të jetë ai.

1. Bëni para-pagim 

Paguani paraprakisht shërbime apo produkte tek bizneset ku ju keni besim edhe në se dyert e tyre janë të mbyllura. Ne do t'ia dalim, dhe së shpejti, pas masave të izolimit, do t’i ktheheni rutinës së zakonshme, duke vajtur te kafja e preferuar, duke ushtruar fizikisht, apo duke kaluar një fundjave diku jashtë qytetit. Me familjen, kemi zgjedhur për shembull Ferma Grand Albanik, duke para-paguar një numër netësh qëndrimi që mund t’i përdorim gjatë vitit. E në se ti ke vetë një biznes të vogël, krijo mundësi të ngjashme apo kupona dhe bëji ato të dukshme në rrjete sociale dhe kanalet tua të marketingut, si një ndihmë për këtë periudhë të vështirë. Në thelb këto janë si kredi pa interes, e cila bëhet edhe më e mirë kur sipas disa studimeve, 40% e njerëzve harrojnë kartat e dhuratave që kanë.

2. Porosit online (me internet, telefon, etj.) 

Mundohu të porosisësh sa më shumë të mundesh nga biznesi vogël. Produkte kujdesi vetjak, libra, punime të realizuara me dorë e të tjera produkte që lehtësisht ju arrijnë në shtëpi. Jo vetëm keni gjera cilësore e të personalizuara, por edhe shmangni daljet, rradhët, takimet me njerëz të tjerë. Si themeluese e Platformës Me Mire Se Bashku, ju ftoj të përditësojmë së bashku informacionin për shërbimet e produkte që mund të porosisni online.

3. Gatuani vetë (ose jo)

Nuk është e thënë të jeni duke gatuar gjithë ditën. Mund të porosisni online shporta me ushqime apo gatime nga restoranti juaj i preferuar. Që nga Ferma ime që sjell produkte të freskëta, deri te produkte të prodhuesve të vegjël që mund t’i konsumoni edhe më vonë apo direkt të tjera nga restorantet. Dhe mos harroni bizneset sociale, sic është New York - Tirana Bagels.

4. Ushtroni fizikisht 

Edhe në se palestra apo qëndra ku shkoni zakonisht është mbyllur, konktoni trajnerin apo instruktoren tuaj për të parë në se ofrojnë klasa në internet, programe, konsulenca, etj. Mbase janë duke ofruar edhe klasa falas, por kjo nuk përjashton mundësinë që ju t’i mbështesni ata pamvarësisht kësaj. Nje mik instruktor në një qëndër afër Qytetit Studenti edhe këto ditë, pronari i vendit insiston që ai të paguajë qera edhe pse aktiviteti është i bllokuar. Pjesëmarrja online ka vlerë jo vetëm për shëndetin fizik e mendor, por edhe për kontaktin social në këto ditë distancimi fizik, aq i nevojshëm këto ditë. Në Aikido Albania & ESD Albania, gjatë ditëve të izolimit ofruam sesione falas online si dhe materiale informative për shendetin mendor e fizik.

5. Edukohuni, ri-merrni një projekt që kishit pezull për punën tuaj, lexoni dicka

Bizneset e vogla mund t’ju mbështesin në marketing, ne grafikë, në multi-media (aq të përdorura këto ditë që rrjetet e platformat elektronike po cmenden nga “trafiku online”). Si të arrini tek klientët tuaj? Si të përgatiteni për një intervistë pune? Si të përmirësoni CV-në tuaj? Si të aplikoni për studime pas-universitare? Mund të gjeni një coachpër zhvillim profsional për cdo fushë profesionale sot. Duke kont(r)aktuar një prej tyre, jo vetëm ndihmon ata dhe familjet e tyre, por së pari veten, duke kthyer muajt e tanishëm në mundësi e shanse të reja për ty. 

6. Kujdesuni për veten

Merrni paketa me produkte si vajra, aksesorë gjumi apo relaksimi, aroma, veshje komode, e të tjerë artikuj apo abonime, qoftë tek dyqane që ofrojnë produkte natyrale dhe artezane, qoftë te dentisti i preferuar apo dhe te parukeria e lagjes ku shkon zakonisht. Unë p.sh. përdor jastiqet e syve që janë për qetësim, në fakt i bëj për të ngritur fonde për The Dojo dhe i kam hedhur në shitje te një dyqan që fatkeqsisht mbylli për shkak të goditjes nga masat e izolimit për Covid19. Prandaj kërkoni zgjedhje për produkte të realizuara me dorë e me shumë kujdes nga artezanët shqiptarë. Kontaktojini.

7. Futuni në veprim herët për sezonin e plazhit, të pushimeve apo udhëtimeve. 

Në se secili kemi grupet e rrjetet tona personale dhe virtuale ku mund të ndikojmë disi, tani është koha për t'i shfrytëzuar ato e për t’ju dhënë vlera shtesë. Merrni ofertat që mund të jenë duke u ofruar. 

8. Filloni një hobi. 

Mos u përqëndroni vetëm te lajmet apo punët e shtëpisë. Në se ndonjëherë keni ëndërruar për një hobby, për nje klub libri, për lojra tavoline me familjen ose me fëmijët tuaj: Kjo është koha për këtë!! Kemi kaq shumë dyqane të vogla e kancelari në lagje, që do te mund t’i frekuentonim për të marrë materialet që kemi nevojë.

9. Bëjuni kreativë 

Mendo, mund të zhvilloni kreativitetin tuaj apo të zgjeroni gamën e aktiviteve në shtëpi. Në vënd që të kërkoni pica të gatshme, mund të kërkoni brumin dhe përbërësit që t’jua sjellin në shtëpi e pastaj ju me fëmijët tuaj mund të argëtoheni duke i gatitur më pas vetë në shtëpi. Ose në vënd të biskotave industriale që merrni në markete, mund të porosisni brumë të freskët për t’i pjekuar ato më pas në shtëpi. Por biznese të tjera mund të ju sjellin më shumë idera për projekte arti, mësimi, etj. E në se ju jeni pronar i një biznesi, mos i bini kokës për mur apo mos mendoni së pari si të ikni nga ky vend, por kërkoni ndihmë, kontaktoni me miq, organizoni biseda brainstorming se si mund të vazhdoni përpara, përfshirë si mund t’i bëni produktet tuaja lehtësisht të aksesueshme nga celulari.

10. Shpërndani dyqanet tuaja të preferuara në rrjetet tuaja sociale. 

Ndihmoni që këto biznese të jenë më të dukshme online edhe pse ndoshta janë mbyllur apo nuk i frekuentojmë dot. Mbase akoma janë duke paguar punonjësit e tyre. Tregojuni rrjeteve tuaja për mënyrat se si mund t'i mbështetni, qoftë me porosi, parapagesa apo blerje kartash dhurate. Bëjuni një rekomandim apo koment pozitiv në faqen e tyre. Këto rekomandime (reviews) kanë shumë vlerë për një biznes.

11. Merre ti inicativën. 

Mbase ke shoqëri apo ke krijuar marrëdhënie me disa nga pronarët e bizneseve të vogla, ku zakonisht blini, shkoni për kafe, apo për shërbime të tjera. Dërgojuni një mesazh apo bëjuni një telefon. I dërgova një mesazh mikes time dhe përgjigja ishte “më mbushe sytë me lot”. Qoftë edhe një fjalë e mirë ndihmon. Pyetini se çfarë kanë nevojë tani. Tregoi mirënjohje, thuaji faleminderit, për ta inkurajuar e për t’u ndier i/e vlerësuar për punën që po bën, për t’i lehtësuar sadopak stresin apo detyrimet që kanë këto ditë. Organizo një kanal komunikimi me një grup shoqesh, në pallat, lagje, rreth shoqëror, ku dikush që ofron shërbime apo produkte të mund t’i sjelli ato pranë jush. Nëse ti je pronar/e e një biznesi, mos e braktisni atë, qëndroni e mbështetni partnerët tuaj. Mendoni për komunitetin e biznesit tuaj në internet sikur ky të ishte Bulevardi kryesor ku ju ndodheni aktualisht.

12. Bëni që zëri juaj të dëgjohet 

Fondet e krijuara për lehtësim, apo mekanizma të tjerë për t’ju ardhur në ndihmë të vetëpunësuarve apo bizneseve të vogla, jo gjithmonë arrijnë në mënyrë të prekshme, të mjaftueshme apo konkrete. Reagoni pozitivisht ndaj informacioneve, vendimeve, masave që merren nga aktorë të ndryshem, përfshirë institucione publike qëndrore e vendore apo medias. Duhen vetëm pak minuta për të shkruar një mesazh, dhënë ide dhe komente konstruktive për mbështetje ndaj biznesit të vogël, për të rritur ndërgjegjësimin dhe interesin e publikut ndaj kësaj cështje. 
U zgjata më shumë se c’kisha menduar, por vërtetë dëshiroj që të gjithë pronarët dhe punëtorët e biznesit të vogël të kalojnë me sukses kohët e vështira që do vijnë. Ju ftoj të me shkruani direkt apo nëpërmjet platformës Më Mirë Së Bashku për të përmirësuar këtë shkrim, pasuruar idetë e për të ndihmuar bizneset që keni përzemër, sidomos ato në zonën ku ju banoni.

Comments