K’cimi i Tropojës: Një Vallëzim i Fuqishëm dhe i Bukur

Të rritesha mes artistëve të Tropojës ka qënë një tapet i gjallë ngjyrash, të qeshurash dhe muzike që formoi dhe zbukuroi shpirtin tim. Tek ndodhesha në dhomat e grimit dhe të veshjeve të grave, e rrethuar nga shkëlqimi dhe nuancat vibrante të kostumeve popullore, ndërsa ajri pulsonte nga gjallëria dhe camaraderia. Qeshjet e gëzuara dhe shakatë që ndaheshin ndërsa ato përgatiteshin për shfaqjen e radhës krijonin një atmosferë elektrike dhe plot jetë. Mama ime e dashur, Vjollca, ishte këngëtare, dhe falë saj, pata privilegjin të isha mes këtyre grave të jashtëzakonshme, të cilat për mua ishin qeniet më të bukura në botë. Lotë emocionesh dhe miënjohje më rrjedhin në faqe ndërsa zhytem në këto kujtime tek shkruaj këtu, duke reflektuar mbi ndikimin e thellë që ky mjedis ka pasur tek unë.

Nuk e mbaj mend saktësisht momentin kur mësova K’cimin, ose siç e quajmë ne K’cim vendi. Megjithatë, e mbaj mend që kam qënë si fëmije shumë e ndrojtur, gjë që shpesh më mbante të stepur. Është i mjegullt kujtimi kur ndjeva për herë të parë fuqinë dhe lirinë që ky vallëzim ofron, një vallëzim që të lejon të zbulosh dhe të shprehësh veten në një mënyrë që është njëkohësisht sa elegante edhe e fuqishme. K’cimi është një formë çliruese dhe fuqizuese, një përvojë e gëzueshme që madje ofron edhe një stërvitje të shkëlqyer kardio. Përmes K’cimit, valltari/valltarja gjen një zë dhe një shprehje për emocionet, duke përqafuar ritmin dhe shpirtin që rrjedh në çdo lëvizje.

Kur mendoj për K’cimin, shoh gratë që qëndrojnë shtatlarta e krenare, duke vallëzuar në majë të gishtave, duke ekzekutuar ulje dhe rrotullime që i mbajnë të lidhura me tokën, por dhe e mbajnë vëmendjen për çka po ndodh përreth. Është sikur, ndërsa synojnë drejt qiellit, ato mishërojnë besimin se qielli është kufiri. K’cimi i burrave është po aq mahnitës; lëvizjet e tyre epike pasqyrojnë saktësinë e kujdesshme të një luftëtari të sigurt. Me një përzierje të kujdesit dhe guximit, ata manifestojnë besim dhe forcë, duke lëvizur me një elegancë që imponon respekt. Burrat vallzojnë me një intensitet që kompleton elegancën e grave, e ndonjëherë pasqyrojnë levizjet deri në harmoni të plote, duke krijuar një balancë të mrekullueshme, duke treguar si elegancë ashtu edhe qëndresë, duke reflektuar si bukuri edje ashpërsi, duke shërbyer si një kujtesë për lidhjen tonë me mahnitëset Alpet tona shqiptare. 

Çdo lëvizje është një festim i forcës dhe bukurisë, një afirmim i fuqishëm i identitetit dhe kulturës që rezonon thellë brenda burrave a grave të Malësisë së Gjakovës. 

Udhëtimi i nisur në vitin 2016, më gëzon sot që kulmoi në një arritje të rëndësishme: “K’cimi i Tropojës” është njohur zyrtarisht si pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO. Pas marrjes së vlerësimeve pozitive nga organi vlerësues i UNESCO-s gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Asuncion, Paraguaj, Jam e mbushur me krenari për lartësimin e vlerave të Tropojës dhe të kombit tonë!

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për gratë dhe burrat e Tropojës për ruajtjen dhe transmetimin e kësaj trashëgimie të pasur përmes brezash. Jam veçanërisht mirënjohëse për mamanë time, një këngëtare me një zë të ngrohtë e të fuqishëm që ushqeu dëshirën time për të performuar dhe shprehur veten përmes artit; për babain tim, Kole Susaj, kompozitor që i ka kushtuar jetën muzikës dhe artit të kombit tonë. Ai është autori i shumë këngëve të njohura, përfshirë himnin e dashur “Shqipero o Nana ime,” dhe është një nga mbrojtësit kryesorë të muzikës sonë popullore në Shqipëri dhe Kosovë. E çmoj kujtimin e kolegëve të prindërve të mi, shumë prej të cilëve i kam njohur nga afër gjatë gjithë jetës time (dhe kjo është 48 vjet!). Në veçanti, nderoj Teta Xhevin (Xhevahire Gashi), Lumen, Bubën, dajën Skender Haklaj, e Deli Metaliaj, Shkelzen Zeni, Angjelina Nika këcimtarë e koreografë, Ali Mulaj, muzikant, të gjithë njohës te përkryer të K’cimit, dhe shumë të tjerë, së bashku me tërë ish-Ansamblin e parë Dardania. Do vazhdoj t’a festoj dhe ndaj bukurinë e K’cimi i Tropojës, një vallëzim që nuk është thjesht një performancë, por një testament i fuqishëm për kulturën dhe identitetin tonë.

Comments