Dashuri pa frike.



Nuk jam psikologe, nuk jam terapiste. Jam bijë, nënë, motër, mbesë.

Dje, pas një viti, lashë pak menjanë kundërpeshën. Kundërpesha është entuziazmi që kam për njerëzit dhe jetën, pasioni për punën dhe kontaktet me të tjerët, praktikat për mindufulness dhe disiplina të tjera ku unë jam nxënëse ose trajnere. Pesha, mungesa e ime mëje për një vit.

Por dje, qëllimisht e lashë veten "të lirë" në këtë pjesë. E lashë veten të ndieja dhimbjen, pa kontaktuar me të jashtmen. E lashë veten të shprehte dhimbjen. Të bëhesha njësh me aromën e rrobave të mamit tim, të përgatis vetë kurorat mbi pllakën e varrit, t’i flas shpirtit.

Sot e kuptova se sa shumë kisha nevojë për diçka të tillë. Dhe sa e vlefshme është marrëdhënia dhe ekuilibri i krijuar ditë pas dite, me kundërpeshën.

Po. Kemi nevojë për dhimbjen. Ta prekësh, ta përtypësh, ta ndjesh në shpirt e në damarë. Ajo dhimbje na hap sytë për të ditur sa duam. Të dimë, si duam. Dhe fjala? Ah fjala. Sa thelbësore për të pohuar vetveten. Qoftë edhe me pëshpëritje brenda nesh, por shumë fiton forcë kur e projektojmë atë jashtë vetes.

Ndërsa jemi në vitin e dytë të pandemisë, shumë, por shumë, kemi humbur të dashurit e të dashurat tona. E unë ju them të gjithëve: nuk ka rregulla se si e përjetoni humbjen e të dashurve tuaj.

Mos ki frikë të shprehesh, pa frikë, ndrojtje ose turp nga ata që gjykojnë. Sepse nuk keni pse i jepni llogari askujt, për asgjë. E vetëm ti e di se ku je me ndjenjat tuaja. Eshtë e drejta jote të jetosh e festosh veten tënde e atë cka mbart nga para-ardhëset e tua. Të marrësh më të mirën nga prindi yt, për ta mishëruar dhe shpalosur atë me krenari dhe mirënjohje. Sepse në kish dikush dashuri për jetën, ajo ishte ma-ja ime. Nëse dikush dinte të qeshte, ajo ishte ma-ja ime. Nëse kishte dikush dashuri për të renë, ajo ishte ma-ja ime. Nëse kishte dikush iniciativë, guxim, vetëbesim, ajo ishte maja ime.

Nëse dikush kishte dashuri për njerëzit, Ajo ishte Maja Ime.


Comments